martedì 3 gennaio 2012

GEZUAR!!!!

EMIGRACIONI DHE RACIZMI: DY ANËT E SË NJËJTËS MONEDHË?


Një shqiptar në Torino zor se mund të refuzojë të reflektojë mbi ngjarjet e fundit në kryeqëndrën piemonteze. E kam fjalën për valën mizore që shkatërroi vendbanimet e komunitetit rom në një lagje të qytetit dhe  pasojat e atyre veprimeve.
Një vajzë e mitur gënjeu mbi të ashtuquajtur dhunë që kishte pësuar nga pjesëtarë të bashkësisë rome. Një grup prej disa dhjetra personash u hakmorrën duke djegur gjithcka që gjenin përpara në “lagjen” rom derisa morën vesh që ishte gënjeshtër. Dikush thotë që qëllimi i tyre ishte edhe të vrisnin sepse nuk donin të pyesnin nëse kishte njerëz nëpër barakat që po digjnin, për fat të mirë nuk pati viktima.
Gazeta e qytetit “La Stampa” atë ditë doli me lajmin që dy rom përdhunojnë një të mitur italiane. Gazetari e mbyll artikullin “ndoshta” me fjalët e një torinezi: “e dimë se ku ndodhën, situata është e papërmbajtshme”. Atë mbrëmje ndodhi marrëzia e flakëve. Një ditë më vonë, e njëjta gazetë kërkon falje jo vetëm që dha një lajm të pavërtetë, të pa bazuar në burime të sigurta e për më shumë një lajm me nuanca raciste.
Në të njëjtat ditë një racist vret dy senegalez në Firenze vetëm se kishin lëkurën e zezë!
Menjëherë organe shtypi si albanianews.it shkruajnë mbi ngjarjet dukë dhënë opinione të çmueshme e jo vetëm të urta.
Pas pak ditësh Ministri i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe i integracionit Andrea Riccardi bën një vizitë pranë kampit rom të djegur dhe impenjohet të përmirësojë një situatë që marrëzia njerëzore e ka kthyer pothuajse në tragjedi. Menjëherë një pjesë e politikës italiane i është kthyer kundër duke i kujtuar indirekt ministrit që detyra e tij parësore është të kujdeset për interesat e italianve.
Çfarë ka mbetur akoma për tu thënë atëherë? Jo shumë, ndoshta…
Është interesante të vëresh që emigracioni po bën gjithmonë e më shumë pjesë në jetën e shoqërisë italiane e do bëjë edhe më shumë në të ardhmën, sipas të dhënave të fundit të ISTAT. Pyetja që më lind është se në çfarë shoqërie duam të jetojmë…?
Në një shoqëri ku njëra klasë ka, për kushedi se çfarë arsye, më shumë të drejta se një tjetër klasë përballë detyrimesh të njëjta, pra në një shoqëri klasore apo në një shoqëri ku ligji është i njëjtë për të gjithë.
Unë dëshiroj të jetoj në të dytën.
Në një shoqëri ku personi nuk ka të drejta që i burojnë nga emri, gjaku apo ngjyra e lëkurës por të drejta që burojnë nga fakti i të qenurit person dhe që përballet me të njëjtat detyrime si gjithë të tjerët. Në një shoqëri me të drejta jo vetëm në letër, por dhe mbi të gjitha në praktikë. Në një shoqëri ku respektohet kontrata sociale e shtetit që mbron njëlloj të gjithë shtetasit të cilët nga ana tjetër kontribojnë, njëlloj sipas mundësivë të secilit, për shtetin.
Në këtë pikë më lind një pyetje tjetër. Si mund të kontribuojmë ne imigrantet në shoqërinë ku ndodhemi? Me siguri duke qenë kritik ndaj nuancave raciste që vërehen në jetën publike por gjithashtu duke treguar që një shoqëri me të drejta të barabarta është më afër personit të merguar dhe atij italian. Që një shoqëri e tillë është më e sigurtë si për qytetarin italian ashtu dhe për atë të huaj. Kur një shqiptar grabit një vilë nuk i bën dëm vetëm pronarit të vilës por të gjithë shqiptarvë që do ta kenë më të vështirë të kenë miq italianë apo të gjejnë punë pranë italianve. Kështu që mund të them pa pasur frikë të gaboj që të parëve që u intereson siguria janë të huajt në mos tjetër sepse kështu mbrohen më mirë. Po italianvë përse duhet t’u interesojë që të merguarit të kenë të drejta e detyra të barabarta? Sepse është thelbësore për demokracinë që mos të ketë klasa më të varfra (në të drejta) se të tjerat.
Plagët e nazizmit akoma të gjakosura dhe poezia e Martin Niemöller janë përpara nesh për të na e kujtuar.

Kur erdhën të merrnin çifutët,
Heshta sepse nuk isha çifut.
Kur erdhën të merrnin homoseksualët,
Heshta sepse nuk isha homoseksual.
Kur erdhën të merrnin komunistët,
Heshta sepse nuk isha komunist.
Kur erdhën të merrnin romët,
Heshta sepse nuk isha rom.
Kur erdhën të më merrnin mua nuk kishte mbetur askush të fliste për të më mbrojtur.

Gazeta Fjala Janar 2012

 Gazeta Fjala e muajit Janar 2012 mund te shikohet duke klikuar  ketu

Cerca nel blog